Pjesë nga fjala e kreut të PD, Lulzim Basha, gjatë prezantimit të Reformës Zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese në qytetin e Fierit:

 

Të dashur miq, teatri politik i përditshëm, telenovela që keni dy vite që e shikoni pa ndërprerje, vazhdon të bluaj si gurët e mullirit, por nuk po bluan bukë apo miell për bukë, madje as krunde, bluan gënjeshtrat e radhës. Një gjë të jeni të sigurtë besoj se e keni kuptuar, gënjeshtrat nuk do të ndalojnë, shpifjet nuk do të ndalojnë mashtrimet nuk do të ndalojnë. Përpjekja bëhet që populli të vazhdojë me sytë e shqyer dhe gojën e hapur të shikojë këtë telenovelë dhe të harrojë për hallet e tyre të përditshme, për ekonominë në kolaps, për kostot e jetës në stratosferë, për premtimet e pambajtura, për shkatërrimin e shëndetsësisë dhe rënien kokëposhtë të niveleve të arsimit shqiptar krahasuar me rajonin dhe botën, e mijëra problemeve të tjera. Duan që ne mos të flasim as me njëri-tjetrin për këto probleme, ndaj financojnë këtë telenovelë të shëmtuar. Zgjidhja e vetme është të ndërrojmë kanalin, madje ta fikim fare, të jemi kështu siç jemi sot, në salla si kjo, në takime kudo anembanë vendi. Me njerëzit e vërtetë, që kanë problemet e vërteta të shkatërruara nga kjo politikë e pamoralshme. 2 vite është një kohë shumë e gjatë, një taksë e rëndë që ne si demokratë dhe Partia Demokratike ka paguar me këtë luftë të brendshme, me këtë telenovelë të stimuluar edhe nga ata që përmes kësaj telenovele zhdukin nga ekranet korrupsionin e thelluar dhe kolapsin total dhe moral të kësaj qeverisjeje. Por teksa është një taksë e rëndë për demokratët, është një taksë edhe më e rëndë për shqiptarët. Ja si katandiset një vend, kur opozita pushon së bëri detyrat e veta dhe kthehet në një telenovelë. Telenovela ka marrë fund. Falë demokratëve më 29 korrik, Partia Demokratike ka kryetarin e partisë, më 2 shtator ka Kuvendin Kombëtar, ka Këshillin Kombëtar, ka Kryesinë dhe tani degët e Partisë Demokratike kanë një dhe vetëm një funksion: të jenë në dispozicion të njerëzve. Kjo nuk është diçka që ndryshon nga mëngjesi deri në darkë dhe brenda ditës, por qëndrimi ynë ka ndryshuar dhe duhet të ndryshojë në mënyrë themelore. Ne duam që qytetarët të besojnë se politika është një mjet ndryshimi, se nuk ka politikë të keqe saç ka futbooll të keq. Nuk ka mjet tejetër ndryshimi për njerëzit, përveçse angazhimit në proceset politike që ndryshojnë qeverisjet. Kjo është beteja e parë dhe sprova e parë që kemi. Sprova e dytë që kemi është që problemet e njerëzve, dëshirat e tyre, shpresat e tyre, të gjejnë shprehje në programin politikë të Partisë Demokratike, i cili po përgatitet dhe do të prezantohet me qytetarët në Fier e anëembanë Shqipërisë. Dhe ndërkohë që bëjmë këtë, kthimi i besimit tek Partia Demokratike duhet të fillojë që sot, aty ku qytetarit i bëhet padrejtësi, aty ku abuzon polici i lagjes apo shefi i komisariatit, apo punonjësi i tatimeve, apo inspektori, aty duhet të jetë demokrati i cili do ta ketë telefonin e hapur të jetë i gatshëm ta marrë problemin për ta përcjellë tek deputeti, tek kryetari i degës, tek kryetari i partisë në Tiranë. Me të vërtetë ne nuk kemi institucione qeveritare, por ne jemi opozita e vendit, ne ngrejmë zërin për çdo problem, ne e bëjmë të njohur publikisht, ne e nxjerrim në media, ne e çojmë në prokurori, ne i biem me shkelm derës së institucioneve ku ato dhunojnë qytetarët. Dhe kjo është detyra e opozitës dhe këtë detyrë opozita që prej dy vitesh ka qenë në apati, do të fillojë ta kryej kudo. Nuk mund ta kryej një njeri, asnjëri prej jush dhe as unë vetëm unë në Tiranë. Por një zinxhir të lidhur vullnetesh, nga ju që njihni problemet e njerëzve, që jeni në kontakt me njerëzit, që kanë mundësi njerëzit t’ua referojnë apo ta vëzhgoni atë problem drejtpërdejtë e deri tek ne për të çuar zërin në parlament, për të çuar çështjet në prokurori, për të thirrur shtypin, për të thirrur kamerat, për t’i bërë publike, padiskutim që kjo është e mundur. Ky është misioni i opozitës së vërtetë dhe opozita e vërtetë në Shqipëri e ka emrin Partia Demokratike e Shqipërisë. Ju faleminderit!