REAGIMI I NËNKRYETARES SË PARTISË DEMOKRATIKE, DEPUTETJA ORIOLA PAMPURI

 

Për pensionistët, prindërit tanë, nuk duhet rreshtur së foluri çdo ditë të vitit. Është e papranueshme që në këtë fundvit pensionistët përballen me pamundësi për tu ndjerë nën atmosferën e festave të fundvitit, si cdo qytetar i këtij vendi.

Në një vend ku qeveria akordon qindra miliona euro në vit për djegësa që nuk punojnë, për analiza e instrumenta mjekësore që nuk adresojnë në mënyrë reale sëmundshmëritë dhe pasojat në shëndetin publik të popullatës e as justifikojnë impaktin ndaj qytetarëve, taksapaguesve të këtij vendi.

Edhe nga ana tjetër ka munguar një trajtim financiar pëe qindra mijëra qytetarëve, pensionistët e Shqipërisë, për tu mundësuar një jetesë që së paku të ndjehen të denjë për kontributin dhjetëra vjecar që ata kanë dhënë shoqërisë sonë shqiptare, për ekonominë e vendit, për kombin dhe per vetë brezat që i kanë përvijuar.

Përgjatë gjithë këtij viti, pensionet u rritën me një vlerë prej vetëm 600 Lekë në muaj në muaj apo 20 lekë në ditë. Qeveria shpërndau një fond vetëm 2 javë para nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale, pavarësisht se ishte në shkelje të Kodit Zgjedhor për përdorimin e programeve të qeverisë me efekte financiare. Një fond i dytë u shpërnda vetëm për 3 muaj e fundit të vitit.

Ndërkohë sipas të dhënave të INSTAT çmimet e produkteve të shportës përgjatë vitit që po mbyllim janë rritur së paku 15% krahahsuar me një vit më parë. Sipas EUROSTAT vetëm për muajin nëntor indeksi mesatar në Shqipëri shënoi vlerën 4.5%, rritje kjo më e lartë se sa vetë mesatarja e vendeve të eurozonës që ishte vetëm 3.1%. Për 11 muaj rradhazi më shumë se gjysma e produkteve bazë të konsumit të popullatës vijoi të kishte një rritje me dyshifra, një trend që tregon për vështirësim të fuqisë blerëse në vend.

Sot, mbi 700 mijë qytetarë, pensionistë gjenden në kufirin e varfërisë, pasi të ardhurat e tyre mujore janë nën minimumin jetik.

Dukshëm kjo shtesë prej vetëm 600 lekë në muaj përgjatë harkut kohor 12 mujor, nuk ka mundur të përballojë as gjysmën e barrës së shpenzimeve shtesë nga efekti i rritjes së çmimeve të produkteve bazë.

Raporti i zëvendësimit është duke arritur drejt ezaurimit, ku për vitin 2022 ishte 1.1 kontribues për 1 pensionistë. Më shumë se 1/3 e fondit të pensioneve plotësohet nga të ardhurat e buxhetit të shtetit, çka po e bën të gjithë skemën të jetë në rrezik afatgjatë.

Zgjidhje për të ndryshuar situatën sigurisht që ka, por kjo qeveri e ka dëshmuar për 10 vite tashmë që ska asnjë lloji vullneti për ta zgjidhur. Mjafton të vështrosh hendekun midis pagave dhe pensioneve që nga viti në vit thellohet e ku sot, një pension është sa ¼ e pagës mesatare.

Partia Demokratike e Shqipërisë, dhe unë si ligjvënëse propozuam 8 amendetet për buxhetin e vitit të ardhshëm, me synim në rradhë të parë fokusimin ndaj njerëzve, ndaj qytetarëve që përballen me vështirësitë, ndaj pensionistëve dhe të pamundurve, ndaj fermërëve, ndaj të rinjve dhe ndaj biznesit.

Ky buxhet i ka të gjitha mundësitë për të bërë rishpërndarjen e duhur të taksave të tyre në shoqëri. Një jetë me dinjitet e meriton çdo familje shqiptare, dhe shteti ka detyrimin moral dhe përgjegjësinë ta mundësojë.