Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina dhe inxhinieri Azmer Duleviç në një deklaratë për mediat shprehen se qytetarët shqiptarë paguajnë 7 taksa për çdo litër karburant, nivel rekord krahasuar me vende të tjera në botë.

Karabina tha se Shqipëria renditet në mesin e 25 vendeve me çmimin e naftës më të shtrenjtë në botë edhe pse jemi prodhues, ndodhemi në tre vendet me çmimin e  naftës më të shtrenjtë në Europë dhe me çmimin më të shtrenjtë në Rajon.

Ndërsa sipas inxhinerit Duleviç, taksat “Rama 3” e mbajnë naftën e lartë dhe shqiptarët paguajnë 35% më shumë taksa sesa Maqedonasit për çdo litër naftë!

 

DEKLARATË E ZËDHËNËSES SË PD, MIRELA KARABINA DHE INXHINIER AZMER DULEVIÇ

 

Zëdhënësja e PD,  Mirela Karabina:

 

Qytetarët shqiptarë paguajnë 7 taksa për çdo litër karburant, nivel rekord krahasuar me vende të tjera në botë. Një pjesë e këtyre taksave shkon në arkën e shtetit dhe dy prej tyre për kompanitë koncensionare.

Rritja e çmimit të naftës në tregun shqiptar është vjedhje e pastër në xhepat e qytetarëve, për sa kohë që vendet e tjera e kanë më lirë se ne dhe ulja e çmimit në Bursë nuk reflektohet në ndryshimin e çmimit te ne.

Ne jemi në mesin e 25 vendeve me çmimin e naftës më të shtrenjtë në botë edhe pse jemi prodhues, të tri vendeve me çmimin e  naftës më të shtrenjtë në Europë dhe me çmimin e naftës më të shtrenjtë në Rajon.

Qeveria e ka në dorë uljen e çmimit të karburanteve duke ulur apo hequr përkohësisht taksa të caktuara, taksa të cilat po vështirësojnë çdo ditë jetesën e shqiptarëve.

Sipas të dhënave zyrtare, shqiptarët paguajnë shumë më tepër taksa për një litër naftë krahasuar dhe me vendet e rajonit.

Ulja e çmimit të karburantit do të ishte një lehtësim për vështirësinë që po kalojnë familjet shqiptare dhe që po i detyron të largohen nga vendi.

Mungesa e politikave të përshtatshme dhe mbështetjes me fonde buxhetore ka sjellë varfërinë e qytetarëve.

Partia Demokratike për qytetarët dhe në shërbim të tyre do të denoncojë çdo sjellje të Qeverisë që rëndon dhe vështirëson jetesën e familjeve shqiptare.

Ajo i kërkon institucioneve përkatëse të reagojnë dhe të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar rritjen abuzive të çmimit të karburanteve.

Inxhinieri Duleviç do të denoncojë me shifra vjedhjen që i bëhet qytetarëve përmes rritjes abuzive të çmimit të karburantit.

 

Fjala e Inxhinier Azmer Duleviç:

 

Taksat “Rama 3” e mbajnë naftën e lartë! Shqiptarët paguajnë 35% më shumë taksa sesa Maqedonasit për çdo litër naftë!

Shqipëria Furnizohet me naftë në bursën Platz të Mesdheut ku në datën 5 Tetor, çmimi i një ton naftë të përpunuar ka rënë nga 923 USD/Ton në 878 USD/Ton, me pak fjalë 45 USD/Ton, rënia më e madhe ndonjëherë në 1 ditë për këtë vit.

Ndërkohë në vendin tone në vend që të ulej nafta, Çmimet e naftës janë rritur sërish në tregun vendas me 5-7 lekë për litër, për të tretën herë radhazi brenda pak javësh.Nafta Diesel 10 PPM po shitet 199 lekë për litër edhe AutoGas LPG ka pësuar rritje dhe po shitet 62-67 lekë/litër!

Operatorët e tregut justifikohen me çmimet në bursa, një tjetër faktor që i mban çmimet e larta në vend janë taksat e larta që rëndojnë mbi naftën, që arrin në mbi 60% të çmimit.

Përveç TVSH-së, akcizës e taksës së qarkullimit, rreth 8 lekë të tjera për litër shkojnë për taksa të tilla si markim, skanim, kolaudim, rilicencim, që në pjesën më të madhe kanë rezultuar të panevojshme.

Në 1 litër hidrokarbur Shqiptarët paguajnë rreth 100.4 lekë taksa për litër!Arsyeja kryesore që çon në këtë nivel çmimi është niveli i lartë i taksave.

Konkretisht shqiptarët paguajnë 7 lloje taksash mbi karburantet.Aktualisht për 1 litër naftë, konsumatorët paguajnë 37 Lekë Akcizë për karburante, 27 Lekë/litër Taksë Qarkullimi dhe 3 Lekë/litër Taksë Karboni. Kësaj vlere i shtohet TVSH prej 20%, e cila po ashtu rëndon konsumatorin në masën rreth 33.4 Lekë/litër, duke bërë totalin prej 100.4 Lekë/litër vetëm taksa, pa marrë në konsideratë kosto të tjera të pikave të karburantit që operojnë në Shqipëri.

Ndërkohë vendi me barrën më të ulët të taksave ndaj çmimit final që paguan konsumatori për 1 litër naftë, është Maqedonia e Veriut, ku taksat zënë 40.1% të çmimit final, pasi në çmimin final përfshihet vetëm Akciza prej 28 Lekë/litër dhe TVSH që është 18% e çmimit final.

Konkretisht, për shkak të barrës së lartë tatimore, një konsumator Shqiptarë final i produktit të naftës paguan

35% më shumë për blerjen e 1 litër naftë, krahasuar me një konsumator maqedonas.

Madje qeveria vendosi të shtyjë edhe për një vit kontratën e markimit të karburanteve, që do na kushtojë rreth 7-8 milionë euro në vit.

Konkretisht, Shqipëria bën pjesë në 25 shtetet me çmimin më lartë të naftës në botë, rankuar më shtrenjtë se vende me nivel të lartë jetesë si Gjermania, Spanja, Luksemburgu, Austria dhe Hungaria.

 

Faleminderit!